Presidenti Ademi zbulon se kur do të emërohet trajneri i ri
Gianni De Biasi e Ilir Daja ishin dy nga emrat më të përfolur për të marrë drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës në futboll pas shkarkimit të Primoz Glihas.
Megjithatë, Agim Ademi ka shuar zërat për një emërim të njërit prej dyshes De Biasi-Daja.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Agim Ademi ka deklaruar se ish-trajneri i kombëtares shqiptare, De Biasi nuk është opsion për stolin e Kosovës. Ai është deklaruar edhe për trajnerin shqiptar, Ilir Daja.
“Deri nga fundi i janarit, fillimi i shkurtit nuk kemi ndërmend të zyrtarizojmë ndonjë trajner. Jemi në bisedime me disa, por nuk kemi asnjë emër konkret deri tani. Të shohim më tej. De Biasi është ofruar, na i kanë sugjeruar njerëz të futbollit. I kemi thënë që e respektojmë shumë, por në këto momente nuk e kemi opsion për stolin e Kosovës”, ka thënë Ademi.
Sa i përket Ilir Dajës, Agim Ademi ka thënë se Kosova duhet të ketë më shumë trajnerë si ai.
“Si Ilir Daja na duhen edhe nja 3-4 trajnerë të tjerë në Kosovë”, ka thënë Ademi.
Kosova është pa trajner që nga përfundimi i ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian. I pari i shtëpisë së futbollit kosovarë ka deklaruar se deri më tani kanë konkurruar rreth 27 kandidatë.