Presidenti Ademi viziton LRF të Pejës, diskutohet për procesin e reformave dhe riorganizimit
Në kuadër të reformave dhe riorganizimit të Lidhjeve Rajonale të Futbollit, presidenti Agim Ademi, i shoqëruar nga nënkryetari Bakir Burri, anëtar i KE-së i deleguar nga regjioni i Pejës dhe anëtari i KE-së, Ismajl Ajeti, realizuan një vizitë pune në Lidhjen Rajonale të Futbollit në Pejë.
Aty u takuan me kryetarin Avdi Gashi, si dhe me anëtarët e bordit dhe stafin administrativ të kësaj lidhjeje rajonale.
“Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht për procesin e reformës dhe riorganizimit të regjioneve të cilin e ka ndërmarrë FFK, për projektet e reja që pritet të implementohen dhe avancimin e mëtejshëm të sistemit të digjitalizimit. Në fokus ishte përgatitja e planit për një organizim edhe më të mirë për vitin e ardhshëm, duke u bazuar në programin e ri të digjitalizimit që FFK tashmë ka filluar ta zbatojë. Po ashtu, gjatë takimit u përcaktuan pozicionet dhe përgjegjësitë e stafit të Lidhjes Rajonale të Pejës, duke u adresuar njëherësh nevojat e kësaj lidhje rajonale për funksionalitet edhe më të mirë dhe avancim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Presidenti Ademi sipas këtij njoftimi, theksoi se të gjitha këto reforma synojnë të sigurojnë një strukturë më funksionale, më moderne dhe më të koordinuar në shërbim të komunitetit të futbollit. Ai shprehu kënaqësinë për progresin e bërë deri tani dhe vuri në pah rëndësinë e reformave për të ngritur standardet e futbollit në të gjitha nivelet.
Ai theksoi se me këto reforma dhe me programin e ri të digjitalizimit, Lidhjet rajonale do të jenë më të gatshme për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës dhe për të kontribuar në zhvillimin e mëtutjeshëm të futbollit. Sipas tij ky është një lajm i mirë jo vetëm për regjionin, por për të gjitha klubet, shkollat dhe komunitetin e futbollit në tërësi.
“Pas riorganizimit dhe reformave të nevojshme pritet që shumë shpejt të gjitha lidhjet rajonale të jenë plotësisht të digjitalizuara, duke ofruar informacione të sakta dhe të shpejta për të gjitha ngjarjet që organizohen nga FFK, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e shtëpisë së futbollit kosovar.