
Presidenti Ademi sqaron opinionin publik: Nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar për largimin e përzgjedhësit Foda
Pas disa raportimeve në media lidhur me të ardhmen e përzgjedhësit të Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, dhe spekulimeve për një largim të mundshëm të tij nga pozita aktuale në drejtim të një klubi nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar për të sqaruar opinionin publik dhe për të hedhur dritë mbi këtë çështje.
Presidenti Ademi ka bërë të ditur se nuk ka asnjë njoftim zyrtar, as nga përzgjedhësi Foda, e as nga ndonjë përfaqësues i tij apo palë tjetër që lidhet me të, në lidhje me një vendim për largim nga posti i tij në krye të Kombëtares.
“As unë, si President, dhe as FFK-ja si institucion, nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar nga përfaqësuesit e përzgjedhësit Foda apo nga ndonjë palë tjetër”, ka theksuar Ademi.
Ai gjithashtu ka theksuar se Foda vazhdon të ketë obligime kontraktuale me FFK-në, të cilat priten të përmbushen në përpikëri, veçanërisht tani kur Kombëtarja ndodhet në fazën para fushatës kualifikuese për Kampionatin Botëror.>
“Foda aktualisht ka obligime kontraktuale me ne dhe presim që ato obligime të përmbushen, veçanërisht tani, në këtë fazë të rëndësishme të fushatës kualifikuese për Kampionatin Botëror, drejt së cilës shkojmë me optimizëm dhe dëshirë të madhe për sukses”, u shpreh presidenti Ademi.