Presidenti Ademi: Shqipja ishte një figurë e shquar dhe frymëzuese në fushën e sportit

Presidenti Ademi: Shqipja ishte një figurë e shquar dhe frymëzuese në fushën e sportit

Ish sportistja e njohur, njëkohësisht anëtare e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) Shqipe Bajqinca-Brestovci ka ndërruar jetë të dielën.

Presidenti i FFK, Agim Ademi përmes një njoftimi, ka ngushëlluar familjaret e të ndjerës.

“Të nderuara Familje Bajçinca dhe Brestovci,

I nderuar Bord i Federatës së Hendbollit të Kosovës,

I nderuar Bord Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës,

Të nderuar staf akademik i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit,

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të punëtores dhe kontribueses së madhe të sportit, Shqipe Bajçinca-Brestovci, andaj më lejoni që në emrin tim dhe të KE të FFK-së dhe komunitetit të futbollit në tërësi të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe.

Shqipja ishte një figurë e shquar dhe frymëzuese në fushën e sportit. Ajo ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në promovimin e sportit dhe vlerave sportive prej shumë vitesh, veçmas në hendboll, derisa në dy mandatet e fundit dha kontributin e saj edhe si anëtare e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut.

Shqipe Bajçinca-Brestovci e transmetoi dijen e saj te shumë breza si pedagoge në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, teksa ishte zë i fuqishëm i vajzave dhe grave në sport.

Edhe pse sëmundja e rëndë e vuri përballë sfidave të mëdha, ajo nuk u ndal asnjëherë për të dhënë gjithçka për sportin dhe për të frymëzuar të rinjtë që të jenë pjesë e sportit dhe e suksesit.

Kontributi i saj i paparë dhe pasioni për të nxitur vajzat drejt sportit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë kolektive.

Ikja e saj nga kjo botë lë zbraztësi të madhe jo vetëm për familjen dhe rrethin e saj të ngushtë, por edhe për familjen e madhe të sportit në vendin tonë.

Shqipja na la sot fizikisht, por kontributi i saj do të vazhdojë të jetojë në zemrat dhe mendjet tona përjetë”, ka thënë Ademi.

Share This