Presidenti Ademi ngushëllon familjen Ajeti: Isufi ishte njëri nga bashkëpunëtorët më profesional e të devotshëm të FFK-së
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi e ka ngushëlluar familjen Ajeti me rastin e ndarjes nga jeta të bashkëpunëtorit shumëvjeçar të FFK-së, Isuf Ajeti.
“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të kryefamiljarit tuaj dhe bashkëpunëtorit tonë shumëvjeçar, Isuf Ajeti, ndaj ju lutem që në emrin tim, KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit t’i pranoni ngushëllimet tona më të thella e të sinqerta.
Isufi ishte njëri nga bashkëpunëtorët më profesional e të devotshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, që nga vitit 2003 e deri në ditët e sotme.
Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në Komisionin e Garave ndër vite, qoftë si kryetar i këtij organi e qoftë si anëtar, derisa viteve të fundit ishte këshilltar ligjor.
Puna, profesionalizmi, përkushtimi, humaniteti dhe virtytet e tij do të jenë shembull për secilin që është pjesë e federatës dhe futbollit.
Në këto çaste të vështira për juve si familje, të gjithë ne jemi pranë jush që dhembjen dhe humbjen e Isufit ta përballoni më lehtë.
Me ikjen e Isufit nga kjo botë familja humbi njeriun më të dashur, derisa FFK dhe miqtë humbën njërin prej personaliteteve më të respektuara dhe më pozitive”, thuhet në telegram ngushëllimin të presidentit Ademi.