Presidenti Ademi: Mëvetësimi i futbollit, ditë historikë
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi përmes llogaris së tij në rrjetet sociale, ka thënë se sot është ditë historikë për futbollin tonë, ditë kur u zhvillua ndeshja e parë e mëvetësimit të futbollit kosovar.
Ky është postimi i Ademit:
Sot shënojmë një ditë historike për futbollin kosovar, ditën kur u zhvillua ndeshja e parë e mëvetësimit të futbollit tonë, ndërmjet Flamurtarit dhe Prishtinës, organizuar nga Federata e Pavarur e Futbollit të Kosovës, më 13 shtator të vitit 1991.
Kjo njihet njëherësh si fillimi i periudhës së pavarësimit të futbollit nga regjimi i atëhershëm serbosllav, me ç‘rast ishte themeluar FFK-ja e pavarur, nën drejtimin e kryetarit Agim Bytyqi.
Për të realizuar këtë nismë madhore dhe për të vënë në funksion federatën, u krijua një sistem i garave të reja dhe u zhvillua ndeshjen e parë historike.
Klubet u organizuan falë shpirtit sportiv dhe mbështetjes së donatorëve të palodhur, ndërsa të gjitha organet e nevojshme u themeluan për funksionimin e ligës.
Për shkak të përjashtimit nga objektet sportive nga regjimi serb, u improvizuan fusha të reja futbolli, duke rifilluar garat edhe në kushte të vështira.
Sot, me krenari përkujtojmë të gjithë bashkëpunëtorët dhe bashkëkohanikët që kontribuan në ato kohë: lojtarët, trajnerët, drejtuesit dhe donatorët e klubeve, gjyqtarët dhe delegatët.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që ofruan tokat e tyre për t’i kthyer në fusha futbolli. Këto fusha, që sot mund të jenë të ndërtuara apo toka të punuara, ishin dhe do të mbeten një pjesë e shenjtë e historisë së futbollit kosovar.
Urime të gjithë atyre që janë ende mesin tonë e përkujtim i përjetshëm për ata që nuk janë më, por që dhanë kontributin e tyre që futbolli kosovar të ketë vazhdimësi edhe në kushte të vështira okupimi!