
Presidenti Ademi: Hoxha do të jetë vlerë e shtuar për mesfushën tonë
Presidenti i FFK-së Agim Ademi i ka uruar mirëseardhje mesfushorit Veldin Hoxha.
Hoxha vendosi ta përfaqësojë Kosovën në nivelin ndërkombëtar, ku deri në grupmoshat U21 mbronte fanellën e Kroacisë, aty ku ishte edhe kapiten.
Ademi shtoi se Hoxha është në vazhdën e prurjeve te Kosova, me FFK-në që iu bën të qartë të gjithëve se e ka derën e hapur te “Dardanët”.
“Veldin Hoxha, futbollist me potencial të madh
Sot i uruam mirëseardhje në Kombëtaren e Kosovës mesfushorit Veldin Hoxha, një prej talenteve më premtues të futbollit kroat, i cili ka vendosur ta përfaqësojë vendin e prejardhjes së tij.
I lindur dhe rritur në Kroaci, Veldini ka prejardhje nga Dragashi dhe e ka përfaqësuar Kroacinë deri në kategorinë U21. Por, tani ka zgjedhur me zemër rrënjët e tij, duke e veshur fanellën dardane.
Veldini ka përvojë të çmuar te Rijeka dhe tashmë është pjesë e Rubin Kazanit. Cilësitë e tij teknike dhe vizioni i qartë në fushë do të jenë një vlerë e shtuar për mesfushën e kombëtares sonë.
Ardhja e Veldinit, në vazhdën e prurjeve të reja në Kombëtaren tonë, është një mesazh i qartë për të gjithë talentët shqiptarë në diasporë: Kosova është dhe do të jetë gjithmonë shtëpia juaj dhe dyert e saj janë të hapura për të gjithë.
Mirë se vjen Veldin, uroj të arrijmë sa më shumë suksese së bashku!
Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi!”, shkroi ai.