Presidenti Ademi: Elvis Rexhbeçaj do t’i bashkohet Kosovës, jemi në fazën e kompletimit te dokumenteve
Franco Foda është përzgjedhësi i ri i Kombëtares së Kosovës.
Trajneri gjerman është prezantuar sot nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), shkruan Express.
Foda bëhet trajneri i pestë që do të drejtojë “Dardanët”, pas Albert Bunjakit, Bernard Challandes, Alain Giresse dhe Primoz Gliha.
57-vjeçari gjithashtu bëhet trajneri i parë gjerman që do të jetë në krye të Kombëtares tonë.
Foda ka nënshkruar kontratë 2-vjeçare. Ai do të ketë stafin e tij, i cili do të zbulohet më vonë.
Gjatë konferencës së tij të parë si trajner i Kosovës, trajneri nga Mainzi u pyet edhe për Elvis Rexhbeçajn, për të cilin u shpreh optimist se do t’i bashkohet “Dardanëve”.
Mesfushori prizrenas, që është rritur dhe ka ndërtuar karrierën në Gjermani, ende nuk përfaqëson asnjë ekip kombëtar.
26-vjeçari, që aktivizohet te Augusburgu në Bundesliga, tani duket se është afër për të veshur fanellën e vendit të tij.
“Rexhbeçajn e kam parë duke luajtur, besoj se do ta kontaktojë. Jam optimist se do të na bashkohet”, tha Foda.
Ndërsa, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, zbuloi se tashmë janë në fazën e kompletimit të dokumenteve. Sipas tij, gjithçka tanimë është e përfunduar.
“Jemi në kontakt që 5 vjet, jemi në fazën e kompletimit të dokumenteve”, deklaroi Ademi.