Presidenti Ademi: 17 Shkurti është simbol i lavdisë e krenarisë

Presidenti Ademi: 17 Shkurti është simbol i lavdisë e krenarisë

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka uruar 17-të vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Numri një i futbollit, përmes rrjeteve sociale, ka thënë së 17-të shkurti është festa më e rëndësishme e popullit shqiptar.

“17 Shkurti është simbol i lavdisë e krenarisë, por edhe i sakrificave të pafundme të popullit tonë, prandaj sot krahas festimit nderojmë me pietet të gjithë ata që u flijuan ndër vite për liri dhe pavarësi”, ka shkruar Ademi.

Postimi i presidentit Ademi:

Të nderuar drejtues të institucioneve të shtetit,

Të dashura familje të heronjve e të dëshmorëve, invalidë, veteranë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare,

Tifozë të dashur, bashkëpunëtorë, miq të FFK-së, komunitet i futbollit, bashkatdhetarë dhe të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Në këtë përvjetor të 17-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së të Ju uroj nga zemra festën më të rëndësishme në historinë më të re të popullit shqiptar.

17 Shkurti është simbol i lavdisë e krenarisë, por edhe i sakrificave të pafundme të popullit tonë, prandaj sot krahas festimit nderojmë me pietet të gjithë ata që u flijuan ndër vite për liri dhe pavarësi.

Ky vit, ashtu si të gjitha vitet e tjera që pasuan shpalljen e pavarësisë, është një testament i forcës, unitetit dhe guximit të popullit tonë për demokraci e shtetndërtim.

Përgjatë këtyre 17 vjetëve Kosova ka arritur shumë dhe në këtë rrugëtim sporti dhe futbolli kanë pasur një rol të veçantë për ngritjen e prestigjit të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.

Këto arritje janë dëshmi e punës së palodhshme, e angazhimit dhe pasionit të çdo sportisti e trajneri, por edhe të gjithë atyre që kontribuuan për zhvillimin e sportit.

Tani obligimi ynë është të krijojmë kushte më të mira infrastrukturore dhe të nxisim vajzat e djemtë t’i bashkohen futbollit për një të ardhme më të ndritur e për suksese të reja. E këtë po e bëjmë me përkushtim e pa u ndalur në çdo pjesë të vendit.

Vazhdojmë me përgjegjësi e krenari ta lartësojmë shtetin tonë në çdo arenë!

Lavdi dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!

Urime 17-vjetori i Pavarësisë! 🇽🇰

Share This