
Presidentes Osmani i jepet Çmimi i Evropës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pranuar zyrtarisht Çmimin e Evropës, të ndarë nga Fondacioni Pan-Evropian në Austri.
Ky çmim, i akorduar muaj më parë, i është dorëzuar presidentes Osmani në një ceremoni të veçantë të organizuar në Vjenë.
I njëjti çmim i ishte ndarë dy dekada më parë edhe presidentit Rugova, ndërkaq laureatë të tjerë të çmimit përfshijnë edhe presidentin Ronald Reagan e kancelaren Merkel.
Ky çmim thuhet se i është ndarë presidentes Osmani për përkushtimin e saj të palëkundur ndaj raporteve me partnerët euroatlantikë, orientimin pro-evropian, forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë.
Ndërkohë, vet Osmani në një postim në Facebook, tha se ky çmim është nderim për Republikën e Kosovës dhe një dëshmi e vazhdimësisë së rrugës evropiane të vendit.
“Dy dekada më parë, i njëjti çmim iu nda Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Ky është një nderim për Republikën e Kosovës dhe një dëshmi se rruga jonë evropiane, e ndërtuar mbi vizionin e Presidentit Rugova për paqe, demokraci dhe partneritet transatlantik, vazhdon me vendosmëri”, shkroi Osmani.
Ajo e mbylli postimin me mesazhin: “Për Kosovën që beson, që qëndron dhe që ecën përpara!” /rtk/