Premtime me shumicë, vota me pakicë- 61 u premtuan, 57 u numëruan

Premtime me shumicë, vota me pakicë- 61 u premtuan, 57 u numëruan

Pas miratimit të raportit për mandatet, u tentua zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit.

Por, në momentin që Kurti e kërkoi shumicën, iu desh të përballej me realitetin – VV-ja nuk kishte numrat e nevojshëm për të formuar Kuvendin.

Pavarësisht deklaratave të shumë deputetëve të VV-së që “garantonin” votat, rezultoi se ato ishin të pavërteta. Dy herë, më 15 dhe 17 prill, VV-ja u përball me dështime të mëdha, duke e dështuar tentativën për të kaluar edhe raportin e komisionit të mandatave.

Një situatë pak a shumë e njëjtë ishte edhe me 17 prill ku për shkak të mungesës së kësaj shumicë, s’u hodh në votim fare ky raport. U deshtë tek sot, përkrahja edhe e partive të tjera që raporti të kalonte, për t’i hapur rrugë krijimit të kuvendit, porse prapë VV-ja dështoi të votonte kandidaten e saj për kryetare të parlamentit, Albulen Haxhiu.

Një nga deputetët e kësaj partie që së fundmi aludonte se VV i ka votat e nevojshme, është Arbër Rexhaj.

“Unë mendoj që Lëvizja Vetëvendosje – mbi bazën e diskutimeve që i kemi pasur në grupin parlamentar – i kemi numrat për ta bërë këtë gjë. Tashti është çështje që i takon edhe kryeministrit, qoftë emri i kryeparlamentarit – se e di që do të më pyesni – qoftë përbërjen e kabinetit qeveritar”, tha ai, duke shtuar se Albin Kurti “do ta shpalosë para qytetarëve në formën më transparente të mundshme”.

Tjetër deputetët që shprehej me këtë siguri është edhe Ejup Maqedonci.

“Patjetër që numrat i kemi. Ne jemi të vetëdijshëm të gjithë që Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese dhe nuk është fituese dosido…Opozita duke e parë këtë rrezik për ta e pengoi që dy seanca radhazi konstituimin e Kuvendit që është një goditje ndaj demokracisë…Dje ka qenë shumë e qartë. Është thirrur një takim konsultativ që s’ka pasur të bëjë me aspektin procedural, por me aspektin e konsultimeve para se të hyhet në seancë, me qëllim që të shmanget mundësia e ndonjë shkelje kushtetuese apo ligjore dhe ka qenë hezitimi i një pjese të opozitës që edhe të komunikojë. Ne e promovojmë dialogun dhe konsultimet si mjet kryesor para se të marrim vendime politike të nivelit të përbashkët nacional”, deklaronte Maqedoni.

I sigurt në numrat e VV-së, është shprehur edhe deputeti Faton Peci, tha se Lëvizja Vetëvendosje i ka numrat për formimin e qeverisë së re.

Përveç këtyre, ditë më parë ka qenë edhe deputeti Halil Thaçi, ai që kishte supozuar se VV-ja i ka 63 vota.

‘‘Unë po shpresoj që do ta bëjmë edhe pa PDK, e kryeministër do të jetë Albin Kurti dhe krye parlamentar Glauk Konjufca. Me vota, 63 vota, qeto 63 vota bëhen prej deputetëve. Prej atyre që janë përgjegjës për shtetin e Republikës së Kosovës’’, ka thënë ai.

E bindur  në krijimin e qeverisë së re nga VV-ja, është shprehur edhe deputetja Arbëresha Kryeziu-Hyseni.

“Të martën më 15 prill besoj që do të fillojë me konstituimin e Kuvendit e pastaj edhe me procedurat e tjera. Unë e di që kryeministër do të jetë Albin Kurti prapë dhe Qeveria Kurti 3 do të formohet. Kjo bëhet sigurisht nëse i kemi numrat. E unë besoj që i kemi”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, për dallim nga anëtarët e partisë së tij që kanë qenë kaq të zëshëm, Albin Kurti, ka qenë i heshtur fare. Në pothuajse çdo paraqitje të tij ditëve të fundit, kur është shfaqur para gazetarëve, ai nuk është prononcuar. Mes shumë mikrofonave e pyetjeve, Kurti asnjëherë nuk ka dhënë një koment.

Mes heshtjes së tij e deklarimeve të shumta të deputetëve të VV-së, ende s’është e sigurt që kjo parti ka shumicën.

Shtuar këtu edhe faktin se, partia e cila ka qenë më e afërt me VV-në për një koalicion të mundshëm, ajo e NISMA-s, sot, nuk e përkrahu Haxhiun për kryetare të kuvendit. Duke mos dhënë shenja të mira për një koalicion të mundshëm mes tyre.

Share This