
Prekazi u përket të gjithë shqiptarëve
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen solemne për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se sot na ndajnë 27 mote prej ngjarjes më të lavdishme, e të cilës ia gjejmë përkufizimin më të plotë dhe do t’ia mësojmë përmasën më të saktë nëpër vitet e realizimeve tona si shoqëri e si shtet, si njerëz e si komb.
“Ato tri ditë të marsit i kemi quajtur Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës. Ngjarja që përmblidhet nën fjalën Epope, krejt sikurse emri që i është vënë, na e ka ritmuar historinë tonë bashkëkohore të më shumë se një çerek shekulli. Kjo do të thotë se na e ka përcaktuar ritmin e mendimit dhe veprimit, politik dhe jo vetëm. Emrat Shaban, Adem dhe Hamzë janë kthyer në absolutët tanë. Gratë e familjes Jashari janë bërë simboli i marrëdhënies mes gruas së popullit autokton dhe mëkimit të ndjenjës së atdhedashurisë. Fëmijët e familjes Jashari janë tashmë simboli më i madh i masës historike të flijimit të popullit tonë. Në atë lëndinë të Prekazit, emrat Jashari dhe të tjerët që prehen me ta, janë emrat absolutë të lirisë. E në atë datë kur lindi Ademi i madh, në datën më historike të shqiptarëve, 28 Nëntorin, shpallet publikisht edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se neve na takon neve, si popull e si shoqëri, në qeverisje e zhvillim, ta ruajmë atë ritëm të bërjes së historisë.
“Distanca jonë kohore prej këtyre ditëve shembullore e mbushi kohën e pjekurimit të një brezi. 27 vjeçarët e sotëm kanë lindur në motin e Epopesë”, është shprehur ai.