Prapaskenat e merkatos, Bonucci tregon se ishte pranë kalimit te Real Madrid
Ish-ylli i Juventusit, Leonardo Bonucci ka zbuluar se sa afër ishte që t’i bashkohej Real Madridit në vitin 2017 falë Andrea Agnellit dhe Antonio Contes.
Mbrojtësi italian është i pezulluar për duelin që do të zhvillohet sot (e martë) mes Union Berlinit dhe Real Madridit për shkak të kartonëve.
“Më vjen shumë keq, me shumë mundësi do të ishte ndeshja ime e fundit në Ligën e Kampionëve, por ishte shkruar të përfundonte kështu”, ka thënë Bonucci për gazetën “Marca”.
“Jam i hidhëruar sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme. Mendoj se nëse fitojmë, ne kemi gjasa të mëdha që të kualifikohemi në Ligën e Evropës”, është shprehur ai.
Bonucci ishte bërë pjesë e Union Berlinit verën e kaluar si lojtar i lirë nga Juventusi. Ai ishte “përjashtuar” nga ekipi italian përkundër faktit që kishte edhe një vit të mbetur në kontratën e tij.
Kur Bonucci iu bashkua Milanit si transferim nga Juventusi në vitin 2017, ai kishte mundur që në vend të kësaj t’i bashkohej Real Madrid.
“Nuk ka fjalë për të përshkruar Real Madrid. Ndoshta klubi më i madh në botë. Ishte një moment kur unë isha afër t’i bashkohesha atyre. Ishte një ëndërr. Unë i admiroj të gjithë lojtarët që kanë luajtur aty dhe tani kanë një maestro në stol siç është Ancelotti”, ka thënë Bonucci.
“Ishte në verën e vitit 2017 pasi na mposhtën në finalen e Ligës së Kampionëve në Cardiff. Negociatat mes agjentit tim dhe Madridit ishin intensifikuar, por ne nuk e përmbyllëm marrëveshjen. Në vend të kësaj, ata vendosën të transferojnë një lojtar më të ri dhe jo një në të 30-tat. Ishte e bukur, edhe pse nuk ndodhi”, përfundoi italiani.