Prag-sfida me Italinë, kuqezinjtë në përgatitjet e fundit
Kombëtarja shqiptare, që vazhdon të jetë e grumbulluar ne Sportcenter Kaiserau të Kamenit, ka zhvilluar këtë të enjte një seancë stërvitore gjatë pasdites.
Skuadra dhe stafi teknik janë fokusuar te pjesa taktike dhe me ngarkesa fizike të reduktuara, teksa gjendja e grupit është në parametra optimale dhe nuk ka probleme fizike.
Kjo ishte edhe stërvitja e fundit e Kombëtares në Kaiserau para ndeshjes së parë të grupit në Euro 2024 ndaj Italisë, teksa nesër kuqezinjtë do të stërviten në stadiumin e Dortmundit, aty ku do të luhet edhe sfida me kampionët e Europës.
Në ora 17:45, trajneri Sylvinho dhe mbrojtësi Berat Gjimshiti do të jenë në konferencën zyrtare për median, që do të transmetohet edhe në faqen zyrtare të FSHF në Youtube, ndërsa në ora 18:30 do të zhvillohet edhe seanca zyrtare stërvitore po në stadiumin e ndeshjes.