Policia arreston një të dyshuar dhe konfiskon mjete shpërthyese në veri

Policia arreston një të dyshuar dhe konfiskon mjete shpërthyese në veri

Policia e Kosovës njoftoi të premten vonë se e ka arrestuar një burrë dhe ka konfiskuar mjete shpërthyese, municion dhe mjete të tjera të dyshimta në veri të vendit.

Ajo tha se kreu një kontroll në Mitrovicën e Veriut, pasi mori informatë për mjete të dyshimta në një lokacion në këtë qytet.

“Kontrolli është realizuar në një shtëpi dhe në objektet përcjellës të saj”, tha ajo, raporton Rel.

Policia tha se ka gjetur dhe konfiskuar katër granata dore të llojit M79, fishekë të llojeve të ndryshme dhe mjete të tjera të dyshimta.

Për këtë rast, Policia e ka arrestuar një burrë 37-vjeçar, për të cilin gjykata ka urdhëruar 48 orë paraburgim.

“Në lidhje me rastin është arrestuar personi i dyshuar (M.B ) viti i lindjes 1988, i cili është shoqëruar në stacioni policor ku në prezencën avokatit mbrojtës është mbrojtur në heshtje”, tha policia.

Policia e Kosovës ka zbuluar dhe konfiskuar armatim dhe municion në veri në disa raste në vitet e fundit.

Veriu i Kosovës – i banuar me shumicë serbe – është përballur me tensione të vazhdueshme këto vite dhe ka qenë vatër e disa sulmeve.

Në shtator 2023, një grup i armatosur serbësh e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë një oficer policie. Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues.

Kosova e cilëson Serbinë si përgjegjëse për këtë sulm, por Beogradi mohon.

Share This