“Pogban e kanë mashtruar”, Nasri: Ka për ta mbyllur me futbollin!
Paul Pogba është në qendër të vëmendjes teksa francezi rezultoi me doping duke qenë se kishte përdorur një substancë të ndaluar si testosteroni.
Në pritje të një tjetër testimi që do të jetë vendimtar edhe për masën e dënimit të mesfushorit, flet Samir Nasri që në vitin 2018 provoi një eksperiencë të ngjashme dhe u pezullua me gjashtë muaj. Ish-mesfushori theksoi se Pogba nëse dënohet me më shumë se një vit atëherë do të heqë dorë nga futbolli i luajtur.
“Nëse Pogba e dënojnë me një vit atëherë besoj se ai do të tërhiqet nga futbolli. Është shumë e vështirë kur je i pezulluar, të duhet një forcë e jashtëzakonshme në aspektin psikologjik duke qenë se nuk mund as të stërvitesh në një qendër stërvitore të mirëfilltë. Kur mua më pezulluan nuk u stërvita fare, unë vendosa të bëja festë.
Në rastin unë nuk kisha përdorur një substancë të mirëfilltë doping, ishin disa vitamina me të cilat e kisha kaluar dozën e lejueshme. E kuptoj që lojtarët nuk janë në dijeni të të gjithë rregullave, por mjekët po. Ai që e ka këshilluar Pogba në këtë rast nuk është një mik i vërtetë, ose nuk ka lidhje me këtë profesion”, u shpreh Nasri.