
Pogba mes Monaco-s dhe gjigantit argjentinas
Paul Pogba është në prag të një rikthimi në futbollin profesionist, ndërsa mediat franceze raportojnë se ai është afër kalimit te Monaco.
Sipas “Le Parisien”, 32-vjeçari ka arritur marrëveshje dyvjeçare me klubin nga Ligue 1, pas një mungese të gjatë nga fusha për shkak të pezullimit prej 18 muajsh për përdorim të substancave të ndaluara.
Megjithatë, në një intervistë të fundit për podcastin e Sergio Agüeros, La Casa del Kun, Pogba sqaroi se ende nuk ka nënshkruar me Monacon, derisa ai nuk e përjashton mundësinë e transferimit tek gjiganti argjentinas, Boca Juniors.
“Nuk kam nënshkruar asgjë, por ka interesim. Do të shohim”, tha Pogba, duke i lënë të hapur të gjitha mundësitë për të ardhmen e tij.
I pyetur për emocionet që i kishte përjetuar në një ndeshje të Boca Juniors në Kupën e Botës për Klube, Pogba nuk i kurseu fjalët e mëdha për klubin dhe tifozët argjentinas.
“Në jetë, kurrë nuk i dihet. Më pëlqyen njerëzit që shkuan për të parë ndeshjen e Boca Juniors. Ishte çmenduri. Kam qenë në Marseille, që është e nxehtë, në Napoli po ashtu, por si Boca… nuk kam parë kurrë diçka të tillë në jetën time”, theksoi ai.
Pogba mbetet një nga emrat më të mëdhenj të futbollit modern dhe e ardhmja e tij është ende e hapur – mes rikthimit në Ligue 1 dhe një aventure të re, ndoshta në Argjentinë me Boca Juniors.