
“Po testohet besueshmëria e SHBA”, Macron: Rusia nuk ka vullnet për paqe, të nisin sanksionet
Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh të premten se Uashingtoni po përballej me një test besueshmërie për sa i përket përgjigjes së tij ndaj faktit se Rusia po zvarrit arritjen e një armëpushimi në Ukrainë.
Kjo pasi Moska ka refuzuar thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm në vendit fqinje dhe intensifikoi bombardimet ndaj tij edhe pse po ndërmerreshin përpjekje diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
“Nëse Rusia konfirmon se nuk është e gatshme për paqe, Uashingtoni duhet të konfirmojë angazhimin e tij për të vendosur sanksione ndaj Moskës. Ky është një test besueshmërie për Uashingtonin, jo për ne europianët. 48 orë më parë fola me presidentin Trump që tregoi padurim. Çështja tani është çfarë do të bëjmë? Ne europianët jemi gati,” u shpreh Macron.
Mbrëmjen e së dielës, pasi Moska ndërmori sulme rekord nga ajri ndaj Ukrainës, presidenti amerikan Donald Trump e quajti homologun e tij rus Vladimir Putin të çmendur, por ende nuk ka vënë në zbatim kërcënimet e tij për të vendosur sanksione të reja ndaj Moskës.
Në një konferencë për shtyp në Singapor, presidenti francez gjithashtu dënoi situatën në Rripin e Gazës, ndërsa theksoi se njohja e një shteti palestinez me kushte nuk ishte vetëm detyrë morale, por edhe domosdoshmëri politike.
“Nëse nuk ka përgjigje që mund t’i përshtatet seriozitetit të situatës humanitare brenda orësh dhe ditësh, do të na duhet të ashpërsojmë qëndrimin tonë kolektiv dhe të zbatojmë rregullat që kemi vendosur për veten. Kjo do të thotë dhënie fund proceseve që kërkojnë respektim të të drejtave të njeriut, çka nuk po ndodh për momentin, dhe vendosje sanksionesh,” deklaroi Macron.
Singapori ishte ndalesa e fundit e turit të vizitave që presidenti francez kreu në tre vende të Azisë Juglindore. /rtsh/