“Po më vjen mirë që po na shikojka”, Munishi i përgjigjet deklaratës së Dajës
Trajneri Ismet Munishi është përkujdesur t’i pergjigjet deklaratës së trajnerit të Ballkanit, Ilir Daja, i cili pati një mesazh për analistët e emisioneve sportive.
Ballkani mposhti BATE Borisovin me rezultat 4-1 të enjten në “Fadil Vokrri” dhe pas ndeshjes, trajneri i therandasve pati një meazh.
“Kemi gjashtë fitore dhe një humbje deri më tani. Unë nuk do të merrem me atë humbje, por le të merren specialistët se nuk po i zë gjumi”, deklaroi Daja.
Sot (e diel) mbrëma, në emisionin ‘Dueli Sportiv’ në RTV Dukagjini u diskutua rreth paraqitjeve të Ballkanit në garat evropiane dhe Ismet Munishi u përkujdes t’i përgjigjet trajnerit të Ballkanit rreth kësaj deklarate.
Munishi ka thënë se është i kënaqur që tekniku nga Shqipëria është duke i përcjellë të dielave në emision.
“Shumë simpatike ishte deklarata, kur fiton ke gjithmonë të drejtë. Deklarata ka qenë jashtëzakonisht korrekte. Mua po më vjen mirë që po na shikojka edhe po mësojka diçka këtu prej neve, ka mësuar edhe kur ka luajtur kundër neve”, ka thënë fillimisht Munishi.
Megjithatë, Munishi në vonë i dha komplimente për ndeshjen e përgatitur kundër Bate Borisov.
“Komplimente të mëdha për ndeshjen me Bate Borisov, sepse ishte pikërisht trajneri që kishte analizuar shumë mirë ndeshjen”, përfundoi trajneri i Ferizajt. /telegrafi