Pioli: Kujdes, nuk jemi kualifikuar! Loftus-Cheek “bishë”, Leao artist
3-0 fitoi Milanit kundër Rennes në “San Siro”, rezultat që afron kuqezinjtë italianë me kualifikimin në raundin e 1/8-ve të Europa League.
Gjithsesi, trajneri Stefano Pioli mendon se asgjë nuk është mbyllur dhe bën thirrje për përqendrim në takimin e kthimit. Pas një jave në Francë.
“Është e kotë të vazhdojmë të flasim për Championsin. Nga zhgënjimi i eliminimit i vendosëm vetes një objektiv, që ishte të bënim më të mirën ne vazhdim. Ky është një moment i mirë për ne, por nuk duhet të ulim ritmin.
Kemi bërë mirë që nga fillimi i vitit 2024, duam të vazhdojmë kështu. Jemi mirë në aspektin mental, gjë që bë diferencën. Nuk ishte një fitore e lehtë, Rennes është një skuadër e vendosur mirë në fushë. Ata ndodheshin në formë të mirë, vinin nga një moment i shkëlqyer.
Kualifikimi nuk është mbyllur, duhet të luajmë edhe në Francë me të njëjtin kujdes”, thekson Pioli.
Nuk mungojnë komentet për autorët e golave: Ruben Loftus-Cheek (2x) dhe Rafa Leao.
“Loftus-Cheek luajti për një farë periudhe pa stërvitje. Ai ka fuqi të konsiderueshme fizike. Ndodhet në formë, ka cilësi dhe është një djalë fantastik, i cili mund të na japë shumë kënaqësi edhe në fazën finalizuese, siç po bën. Kur mbërriti këtu e vura re se ishte më sulmues dhe me më shumë cilësi nga sa mendoja. Më kujton Milinkovic-Savic, të cilin e kam stërvitur kur ishte i ri. Jam i lumtur për të, sepse Ruben është një djalë fantastik.
Leao? Normale që i mungonte goli, por unë e kam parë gjithmonë të qetë dhe të lumtur. Edhe kur nuk shënonte ishte i pranishëm në qendër të manovrës sonë sulmuese. Rafa ka qenë gjithmonë protagonist i fitoreve tona. Dua ta shoh më shumë brenda zonës kundërshtare.
Ai kërkon gjithmonë anën estetike, argëtimin dhe zbavitjen, sepse futbollist i tillë është. Por po përpiqet të jetë edhe më konkret brenda zonës. Duhet të bëhet më shumë sulmues dhe të shënojë gola”, u shpreh trajneri i Milanit.