Pesë lagje të Prishtinës do të bëhen me ngrohje përmes sistemit solar

Pesë lagje të Prishtinës do të bëhen me ngrohje përmes sistemit solar

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar shpalljen e tenderit për projektin “Solar4Kosovo II – Ngrohja Qendrore Solare”, Loti 1 – Impianti i Ngrohjes Qendrore, përmes të cilit do të kenë mundësinë të ofrohet shërbim për 32,000 qytetarë të Prishtinës në pesë lagje: Tophane, Prishtina e Vjetër, Lakrishte, Kalabria dhe Mahalla e Muhaxherëve.

“Solar4Kosovo është projekti i vetëm i këtij lloji në Ballkan dhe i dyti më i madhi në Evropë për nga madhësia. Ai do të prodhojë energji të pastër termike me një kapacitet prej 50 MW, përmes paneleve solare termike me sipërfaqe 63,000 m² dhe një rezervuari për akumulimin e ujit të ngrohtë me kapacitet 380,000 m³”, ka shkruar ai në ‘Facebook”.

Sipas tij përfitimet për Prishtinën në aspektin mjedisor do të jenë të mëdha, duke e vendosur kryeqytetin në hartën botërore të qyteteve të gjelbra dhe ky projekt do të mundësojë një kursim prej 44,000 ton CO₂ në vit.

“Aplikantët e interesuar janë të ftuar të paraqesin aplikimet e tyre. Parakualifikimi përfshin prokurimin e një impianti solar të ngrohjes qendrore, i cili përbëhet nga: Një rezervuar sezonal për ruajtjen e energjisë termike të ujit (PTES) dhe një fushë kolektorësh termikë diellorë (SCF). Projekti do të realizohet në përputhje me Kushtet e Kontratës për Ndërtimin e Impiantit dhe Projektimin (FIDIC – Libri i Verdhë). Koha e parashikuar për përfundimin është 30 muaj, plus një fazë 6-mujore e komisionimit”, tha ai, raporton rtk.

Share This