Përzgjedhësi i Izraelit: Faleminderit për mikpritjen, por duam fitore
Përzgjedhësi i Izraelit, Alon Hazan thotë se ndihet i sigurt në Kosovë mirëpo që synimi i vetëm është fitorja.
Izraeli do të përballet me Kosovën në “Fadil Vokrri”, pasi sfida që ishte paraparë në muajin tetor ishte shtyrë shkaku i luftës.
Në konferencë për shtyp, Hazan deklaroi se duan vetëm fitore që t’iu sjellin sado pak lumturi njerëzve në Izrael.
“E dimë çfarë përfaqësojmë dhe do të bëjmë gjithçka për ta fituar këtë ndeshje, që t’i sjellim sado pak lumturi njerëzve. Është diçka që duhet të na inspirojë”.
“Së pari jemi këtu dhe ndihemi të sigurt. E vlerësojmë atë që Qeveria dhe njerëzit e Kosovës na kanë dhënë, pra mikpritjen. Jemi për futboll dhe na intereson vetëm sporti. Duam që të gjithë njerëzit, nga Kosova apo Izraeli të koncentrohen vetëm te futboll”.
Në fund, ai shtoi se motivimi s’është i mjaftueshëm dhe lojtarët duhet të punojnë fortë për ta arritur qëllimin.
“Motivimi nuk është i mjaftueshëm. Në fund, ekipi i Izraelit duhet ta tregojë kualitetin për të marrë një fitore këtu. Do të jetë një sfidë shumë e madhe për ata”.
“Kosova është skuadër shumë e mirë, e kam thënë nga fillimi. Ishin pafat në fillimin e turneut pra në ato ndeshje. Ishte e qartë se Izraeli dhe Kosova do të luftojnë për vendin e dytë dhe kemi shumë respekt. E dimë që do të jetë shumë e vështirë, por duhet të punojmë shumë për t’i plotësuar objektivat tonë dhe të fokusohemi për nesër. Të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit do të nis me fillim nga ora 20:45.