Përparim Rama: Kemi marrë vendim për krijimin e ndërmarrjes së re të pastrimit

Përparim Rama: Kemi marrë vendim për krijimin e ndërmarrjes së re të pastrimit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të hënën ka njoftuar se Komuna e Prishtinës do të krijojë një ndërmarrje të re publike komunale për menaxhimin e pastrimit në kryeqytet.

Rama ka thënë se modeli aktual i Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, në të cilin përfshihen edhe komunat e Obiliqit, Fushë Kosovës, Lipjanit, Podujevës dhe Drenasit, nuk po arrin t’u përgjigjet më nevojave të Prishtinës.

Sipas tij, Prishtina i ka përmbushur obligimet e saj dhe dokumentet për këtë proces tashmë janë bërë publike, ndërsa ai pretendon se procedura ka mbetur e bllokuar për shkak të mungesës së një nënshkrimi.

Për këtë arsye, Rama ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave është zhvilluar një takim me kryetarët e komunave që janë pjesë e Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, si dhe me menaxhmentin dhe punëtorët e kompanisë.

“E KEMI MARRË VENDIM”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook, duke paralajmëruar krijimin e ndërmarrjes së re komunale.

Kryetari i Prishtinës ka theksuar se qëllimi i këtij ndryshimi është që shërbimet e pastrimit në kryeqytet të përshtaten më mirë me nevojat e qytetarëve dhe të funksionojnë në mënyrë më efikase.

Share This