
Përmbytje masive në Francë, tre viktima dhe dëme të mëdha pas reshjeve të dendura
Të paktën tre persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut dhe stuhitë që kanë përfshirë Francën jugore që nga e hëna.
Sipas autoriteteve lokale, trupat e një çifti të moshuar u gjetën në qytetin bregdetar Le Lavandou, ndërsa një tjetër viktimë humbi jetën pasi u bllokua në automjetin e tij në qytetin Vidauban.
Zyrtarët lokalë thanë se çifti ishte përpjekur të largohej nga shtëpia, por u mor nga uji si pasojë e rritjes së papritur të niveleve të ujit. “Jemi të tronditur nga shkalla e katastrofës natyrore që goditi lagjen Cavalière këtë mëngjes”, deklaruan autoritetet në Le Lavandou, duke shtuar se qyteti u përmbyt brenda vetëm një ore.
Kryebashkiaku i Le Lavandou, Gil Bernardi, e përshkroi situatën si “një fenomen vërtet të dhunshëm, të shëmtuar dhe të pakuptueshëm”, duke raportuar për rrugë të shkatërruara dhe ura të shembura.
Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe ujë, si dhe probleme të mëdha në qarkullimin rrugor dhe hekurudhor, raporton rtsh.