Përmbytje masive në Çeki dhe Poloni, 60 000 familje pa energji elektrike
Në Çeki dhe Poloninë fqinje janë raportuar përmbytje masive, të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut gjatë natës.
Forcat e emergjencës në të dy vendet janë duke u përgatitur për mot të ashpër që nga e premtja e djeshme.
Reshjet e dendura në rajonin e lumenjve Elba dhe Vltava në Çeki shkaktuan rritjen e nivelit të ujit të Elbës.
”Autoritetet kanë lëshuar nivelin e tretë të alarmit për përmbytjet për rreth 20 lumenj dhe përrenj. Më shumë se 60 000 familje çeke kanë mbetur pa energji elektrike pas stuhive të forta”, njoftoi agjencia çeke e lajmeve CTK.
Zona e Mikulovices, pranë kufirit polak, u përmbyt në mëngjes herët, siç shihet në pamjet e publikuara nga televizioni çek në platformën e mediave sociale X.
Në qytetin jugor të Ceske Budejovice, zjarrfikësit kanë ngritur barriera kundër përmbytjeve përgjatë lumenjve Malse dhe Vltava që nga mbrëmja e së premtes.
Në Pragë, përgatitjet për përmbytjen e pritshme të Vltava ishin të plota, me barriera përmbytëse që u ngritën përgjatë brigjeve të lumit.
Trafiku i transportit është pezulluar.
Nivelet e ujit në lumenjtë në Çeki pritet të rriten më tej gjatë fundjavës, sipas meteorologëve.
Disa zona kanë parë nga 50 deri në 110 litra reshje për metër katror që nga e premtja.
Përtej kufirit në Poloninë jugperëndimore, lumi Biala Glucholaska shpërtheu brigjet e tij në rajonin Opole.
Rreth 400 banorë të fshatit Glucholazy, afër Mikulovice në Çeki, u desh të evakuoheshin.
Ministri i Brendshëm, Tomasz Simoniak vizitoi vendin e ngjarjes, duke postuar foto të përpjekjeve të shpëtimit në X.
”Rreth 100 zjarrfikës dhe 60 policë janë vendosur atje”, tha ai.
Disa nga banorët e fshatit Morow gjithashtu u desh të evakuoheshin sepse lumi Mora doli nga brigjet e tij atje.
Njësia zjarrfikëse iu përgjigj gjithsej 400 thirrjeve në rajon.
Instituti Meteorologjik i Polonisë pret që shirat të vazhdojnë. /atsh/