Përkujtohet heroi Adrian Krasniqi, Haradinaj: Ishte njëri nga themeluesit e UÇK-së
Të mërkurën është shënuar 27-vjetori i rënies së heroit Adrian Krasniqit.
Homazhe te shtatorja e tij në Pejë ka bërë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se Adrianin e kishte mik dhe bashkëluftëtar në ditët e lavdisë.
Haradinaj ka thënë se Adriani ishte njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Adrianin e kisha mik dhe bashkëluftëtar në ditët e lavdisë. I edukuar, zemërbardhë, guximtar i pashoq, ai mishëronte frymën e lirisë për të cilën luftuam dhe për të cilën ai dha jetën. Një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krah për krah me vëllezërit e armëve – Adriani u angazhua në aksione kundër armikut, që shënuan historinë tonë. Rënia e tij heroike, përpara se lufta të shpërthente plotësisht në Dukagjin, ndonëse një humbje e madhe, u shndërrua në një burim frymëzimi për të gjithë ne. Në këtë 27-vjetor, kur përkrah Nënës Mejreme, kujtuam e nderuam Adrianin, riafirmojmë zotimin tonë për një Kosovë të fortë dhe të begatë. Kujtimi i Adrianit dhe i të gjithë atyre që ranë për liri, do të na udhëheq drejt një të ardhmeje më të ndritur për kombin tonë”, ka thënë Haradinaj.