Përballë nxehtësisë ekstreme dhe eklipsit diellor, BE: Sistemi elektrik mbetet i qëndrueshëm

Përballë nxehtësisë ekstreme dhe eklipsit diellor, BE: Sistemi elektrik mbetet i qëndrueshëm

Pavarësisht temperaturave ekstreme dhe thatësirës që po mbërthejnë pjesë të ndryshme të kontinentit, sistemi evropian i energjisë elektrike mbetet i qëndrueshëm dhe nuk përballet me rreziqe afatshkurtra furnizimi. Ky është përfundimi i takimit të zhvilluar këtë të martë nga Grupi i Koordinimit të Energjisë Elektrike të Bashkimit Evropian.

Komisioneri i BE-së për Energjinë, Dan Jorgensen, deklaroi se tregu i ndërlidhur dhe bashkëpunimi ndërkufitar po provojnë efikasitetin e tyre duke dërguar energji aty ku kërkesa është më e lartë. Ajo që ka luajtur një rol kyç në uljen e presionit mbi çmimet gjatë orëve të pikut ka qenë prodhimi i lartë nga burimet diellore.

Sipas ekspertëve të Komisionit Evropian, vendeve anëtare, Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit (ENTSO-E), situata pritet të mbetet kritike gjatë javës në vijim, por kapacitetet aktuale mbulojnë nevojat e konsumatorëve.

Eklipsi diellor dhe kapacitetet ruajtëse

Edhe pse energjia diellore lehtësoi balancën gjatë orëve qendrore të ditës, zyrtarët evropianë nëvizuan nevojën urgjente për investime në sisteme ruajtëse (bateri me kapacitet të madh). Kjo do të mundësonte që prodhimi i tepërt gjatë ditës të shfrytëzohet gjatë pikut të konsumit në mbrëmje.

Në të njëjtën kohë, operatorët e transmetimit kanë nisur përgatitjet intensive për të menaxhuar eklipsin diellor të datës 12 gusht, ngjarje kjo që pritet të shkaktojë një rënie të përkohshme por të dukshme të prodhimit nga panelet fotovoltaike.

Përveç burimeve të rinovueshme, një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe masat vullnetare për reduktimin e kërkesës, të zbatuara në disa vende anëtare, me fokus të veçantë në Hungari, duke ndihmuar në ruajtjen e ekuilibrit të rrjetit në kushte sfiduese.

/rtsh.al/

Share This