
Për Trumpin 100 ditët e ardhshme më të vështira se 100 ditët që kaluan
Presidenti amerikan, Donald Trump është futur në mandatin e tij të dytë me një hakmarrje të madhe, duke lëshuar urdhra ekzekutivë për të përmbushur premtimet e fushatës së tij, duke u përpjekur të zvogëlojë rrënjësisht madhësinë e qeverisë dhe duke rimenduar në thelb rolin e Amerikës në skenën ndërkombëtare.
Por, pasi sapo ka kaluar momentin simbolik të 100 ditëve në Shtëpinë e Bardhë, ekuacioni rrezikon të bëhet më i ndërlikuar për presidentin amerikan, i cili do të duhet të bashkojë republikanët e përçarë në Kongres për të sanksionuar politikat e tij në ligj dhe kështu të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme.
“100 ditët e para të Trump kanë qenë të jashtëzakonshme për ritmin dhe ndikimin e tyre. Tani vjen pjesa e vështirë”, paralajmëroi Stephen Dover, drejtor i institutit ”Franklin Templeton”, në një memo për investitorët.
“100 ditët e ardhshme do t’i kushtohen sfidave të miratimit të legjislacionit, ndërkohë që adresohet ulja e deficitit. Kongresi duhet të veprojë dhe kjo do të thotë ndërtimi i koalicioneve parlamentare”, shtoi ai.
Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë tre muaj më parë, Donald Trump ka ushtruar pushtet ekzekutiv si asnjë president tjetër në historinë moderne, duke nënshkruar më shumë se 140 urdhra ekzekutivë për të ulur në mënyrë drastike imigracionin e paligjshëm, për të goditur programet e diversitetit dhe përfshirjes të urryera nga konservatorët dhe për të çmontuar burokracinë federale.
Por, edhe autoriteti i presidentit ka kufijtë e tij, dhe shumica e reformave që dëshiron miliarderi – veçanërisht ato që përfshijnë shpenzimet qeveritare – do të kenë nevojë për miratimin e Kongresit.
Një provë për Donald Trump, vlerësimi i të cilit për mbështetjen ka rënë ndjeshëm në sondazhe për shkak të shqetësimeve rreth ”shëndetit” të ekonomisë. /atsh/