Për të shmangur krizën institucionale preferohet koalicioni LVV-PDK

Për të shmangur krizën institucionale preferohet koalicioni LVV-PDK

Rezultati preliminar i së dielës ka prodhuar disa mundësi për koalicionet paszgjedhore për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Njohës të çështjeve politike kanë thënë se janë më reale mundësitë që Vetëvendosje ta bëjë vetë Qeverinë ose e tërë opozita e bashkuar, porse vlerësojnë se të dyja do të ishin të paqëndrueshme. Qeveri stabile thonë se do të ishte ajo LVV-PDK.

Rezultati preliminar i zgjedhjeve të së dielës ka lënë disa mundësi për formimin e Qeverisë së re, nëpërmjet koalicioneve. Por, dallimet e shprehura dhe polarizimi i sforcuar gjatë fushatës, është pasuar me qëndrime kundër bashkëpunimit me partinë që ka qeverisur në këtë mandat. Megjithatë, njohësi i çështjeve politike, Basri Muja, thotë se me rezultatin aktual zgjedhor, janë dy skenarë në tavolinë. Por, ai thotë se të dyja krijojnë një qeveri të paqëndrueshme.

“Do të ketë mundësi që edhe Vetëvendosje ta themelojë qeverinë bashkë me pakicat joserbe, ndoshta me ndonjë deputet të peshkuar majtas ose djathtas. Mendoj që mundësinë e njëjtë e ka edhe opozita, këto tri partitë opozitare me pakicat joserbe dhe pakicën serbe ndoshta për ta formuar një qeveri. Por do të jetë qeveri shumë e brishtë sepse do të jetë shumë e ngushtë për nga numrat dhe problemet që i ka Kosova”, është shprehur Muja.

E për një qeveri stabile që do ta kalonte sfidën e zgjedhjes së presidentit në mot dhe problemet me presionin ndërkombëtar për dialogun e reformat evropiane, Muja thotë se do të kryente punë koalicioni mes partisë së parë dhe të dytë, Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike. Por, vlerëson se ky opsion është më pak i mundur për shkak të pozicioneve që të dy subjektet kanë marrë publikisht kundër njëra-tjetrës.

“Një koalicion ndërmjet partisë fituese, Vetëvendosjes dhe partisë së dytë, Partisë Demokratike të Kosovës së bashku me pakicat joserbe. Kjo do të mundësonte një qeveri stabile, një qeveri shumë të fortë, një qeveri e cila do të jetë besoj e gatshme t’i përballu edhe presionet me të cilat do të përballet Kosova”, ka thënë ai.

Aktualisht pa numërimin e votave të diasporës, atyre me kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara Vetëvendosje prin me 40.84 për qind, PDK me 22.05 për qind, LDK me 17.67 për qind dhe AAK me 7.45 për qind.

Sipas Kushtetutës, pas certifikimit të rezultateve, presidentja, në konsultim më partinë fituese të zgjedhjeve, ia propozon Kuvendit të Kosovës kandidatin për kryeministër. Në këtë rast, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, 15 ditë pas emërimit të presidentes ia paraqet Kuvendit për miratim, përbërjen e qeverisë. Në rast se përbërja e Qeverisë nuk e merr shumicën apo 61 vota të deputetëve, presidentja brenda 10 ditësh e emëron kandidatin tjetër, sipas të njëjtës procedurë. Në Kushtetutë nuk përmendet nëse kandidati tjetër duhet të jetë nga e njëjta parti fituese apo nga partia e dytë që ka marrë më së shumti vota në zgjedhje. Por, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ia ka lënë në diskrecion presidentit që të emërojë kandidatin tjetër për kryeministër nga cilado parti politike që ka kaluar pragun zgjedhor.

“Në rast se kandidati i propozuar për kryeministër nuk merr votat e nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, në diskrecionin e tij, në bazë të nenit 95, paragrafi 4, të Kushtetutës, emëron kandidatin tjetër për kryeministër pas konsultimit me partitë ose me koalicionet që janë regjistruar si subjekt zgjedhor në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e ka emrin në fletëvotim të zgjedhjeve, ka marrë pjesë në zgjedhje dhe e ka kaluar pragun”, thuhet në aktgjykim.

Kushtetuesja nuk e ka përjashtuar që presidentja të mund t’ia japë mundësinë partisë së parë që të propozojë kandidatin tjetër për kryeministër.

“Nuk përjashtohet që Presidenti i Republikës të vendosë t’i japë partisë ose koalicionit të parë, sipas nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, mundësinë të propozojë kandidatin tjetër për kryeministër”, thuhet tutje në aktgjykim.

Jo të gjitha procedurat për formimin e Qeverisë së re kanë afate të përcaktuara, çka sipas analistit politik, Artan Muhaxhiri, do të vonojë formimin e Ekzekutivit.

“Do të ketë zhagitje, do të ketë kohë e takime të shumta sepse ne i njohim liderët e partive tona, i njohim si funksionojnë dhe do të ketë shumë kalkulime, do të ketë shumë balancime derisa të arrihet një harmonizim i cili do t’i kënaqë të gjitha palët”, është shprehur Muhaxhiri për Kosovapress.

Para katër vjetëve, kur koalicioni fitues bashkë me pakicat joserbe mori votat e nevojshme, Qeveria u formua 36 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve. /KosovaPress/

Share This