
Pensionohet Taulant Xhaka
Mesfushori Taulant Xhaka ka vendosur të pensionohet pasi të përfundojë ky sezon.
Shqiptari që ka përfaqësuar Baselin që mbi 10 vite, duke zhvilluar 406 ndeshje në proces, ka njoftuar të mërkurën pensionimin nga futbolli.
Përmes një video emocionuese në rrjetin social “Instagram”, Xhaka i njoftoi tifozët se me mbarimin e këtij sezoni, përfundon edhe epoka e tij si futbollist aktiv.
Ai nuk harroi t’i falënderonte tifozët e Baselit, të cilëve iu drejtua me: “Dua t’iu falënderoj të gjithëve. Edhe në kohët e vështira qëndruat prapa meje. Do të jeni gjithnjë në zemrën time”.
Në fund, Xhaka shtoi: “Por, tani ende s’është vera. Le të japim gjithçka së bashku. Të gjithë së bashku”.
Baseli ndërkohë po synon ta fitojë ligën në Zvicër, trofe që nuk e ka ngritur që shumë vite.