Peja triumfon në Prizren
Peja ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Proton Cable Prizrenit me rezultat 93:111 (19:32, 30:36, 31:17, 13:26), në javën e 16-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Verdhezinjtë e nisën ndeshjen më mirë dhe që në fillim krijuan epërsi të dyfishtë, 10:20, ndërsa çerekun e parë e fitojnë 19:32. Kampionët e Kosovës vazhduan me lojë të mirë dhe në periudhën e dytë ngritën epërsinë në 22 pikë, 44:66, që ishte më e larta në ndeshje, ndërsa në pushim shkuan me shifrat 49:68.
Megjithatë, perioda e tretë ‘foli’ në tërësi për prizrenasit që rikthehen fuqishëm për të afruar shifrat në 80:82, por në dhjetë minutat e fundit pejanët në momentet vendimtare ishin më të mirë dhe triumfuan 93:111.
Te vendasit Desi Sills kishte 21 pikë e tetë asistime dhe Ty Cockfield 19 pikë e gjashtë asistime, kurse te mysafirët u dalluan Justin Davis me 30 pikë e 12 kërcime dhe Sadio Doucoure me 18 pikë e tetë kërcime.
Proton Cable Prizreni ka pesë fitore e 11 humbje, kurse Peja ka 12 fitore e katër humbje.