Peja sonte ndaj NINERS Chemnitz kërkon fitoren e radhës evropiane

Peja sonte ndaj NINERS Chemnitz kërkon fitoren e radhës evropiane

Peja sonte luan ndeshjen e radhës në FIBA Europe Cup.

Kampioni i Kosovës në “Karagaçi” përballet me skuadrën gjermane NINERS Chemnitz.

Pejanët janë në top formë në garat vendore dhe ndërkombëtare. Skuadra verdhezi ka shtatë fitore në shtatë ndeshje në Superligë, kurse në FIBA Europe Cup ka dy fitore radhazi.

Humbjen e vetme e ka nga NINERS Chemnitz dhe pikërisht ndaj skuadrës gjermane pejanët sonte synojnë fitoren e radhës.

Takimin e parë e kishin fituar gjermanët 98:72, ndërsa më pas pejanët fituan kundër Heroes Den Bosch me rezultat 99:84 dhe në udhëtim ndaj PGE Spojnia Stargard 79:83.

NINERS Chemnitz është lider me tri fitore, Peja ka dy fitore e një humbje, PGE Spojnia Stargard një fitore e dy humbje, ndërsa Heroes Den Bosch e fundit me tri humbje.

Peja kërkon mbështetjen nga publiku për atmosferë të jashtëzakonshme dhe për t’i dhënë kurajo basketbollistëve në këtë përballje shumë të rëndësishme.

Këtë mesjavë është dashur të luajë edhe Trepça në grupet e FIBA Europe Cup, por takimi ndaj Hapoel Galil Elion nuk do të zhvillohet, pasi skuadra izraelite nuk ka zhvilluar asnjë sfidë deri më tani për shkak të situatës në Izrael dhe të gjitha sfidat e skuadrës izraelite janë pezulluar.

Ndeshja mes Pejës dhe NINERS Chemnitz fillon në orën 19:00.

Share This