Peja eliminohet nga Liga e Kampionëve

Peja eliminohet nga Liga e Kampionëve

KB Peja është eliminuar nga Liga e Kampionëve. Ekipi pejan ka pësuar humbje të thellë në ndeshjen çerekfinale të raundit kualifikues të kësaj gare.

Peja është mposhtur nga skuadra e Danimarkës, Bakken Bears Aarhus që ka avancuar në gjysmëfinale të raundit kualifikues.

Dueli i luajtur në “Gloria Sports Arena” në Belek të Turqisë, ka përfunduar me rezultatin 103:79 në të mirë të ekipit vendas.

Skuadra daneze ishte dukshëm më e mirë se Peja dhe ka dominuar gjatë tërë takimit, të zhvilluar të hënën. Çereku i parë, përfundoi me shifrat 23:16 në të mirë të ekipit danez, i cili shkëputjen e madhe në rezultat e bëri në çerekun e dytë. Këtë periudhë, danezët e fituan me rezultatin 25:9.

Dy çerekët e fundit, Peja ishte më efikase në shënimin e pikëve sesa në dy periudhat e para, por kjo nuk mjaftoi për të shkrirë epërsinë e Bakken Bears prej 20 pikëve. Çerekun e tretë, Peja e fitoi me një pikë – 30:29 – por ta humbur të katërtin dhe konfirmuar fitoren e danezëve dhe avancimin tutje.

Jacob Calloway ishte më i dalluari te Peja, pasi ndeshjen e përfundoi me 14 pikë, 8 kërcime e 5 asistime. Me lojë të mirë, u veçua edhe Tervell Beck që pati 19 pikë, por që nuk mjaftuan për ta evituar eliminimin nga Championsi. Te skuadra daneze, Malik Parsons realizoi 22 pikë.

Pas eliminimit nga Championsi, Peja pritet që garat evropiane t’i vazhdojë në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.

Share This