PE për heqjen e masave ndaj Kosovës, Kearns: Thirrjet të merren parasysh

PE për heqjen e masave ndaj Kosovës, Kearns: Thirrjet të merren parasysh

Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar dje draft rezolutën për Kosovën në të cilën mes tjerash kërkohet heqja e menjëhershme e masave të BE-së.

Deputetja britanike, Alicia Kearns, e ka cilësuar këtë hap si një lajm i vonuar, por jashtëzakonisht i mirëpritur.

“Lajm i vonuar dhe jashtëzakonisht i mirëpritur – ekuilibri duhet të kthehet në botë, dhe veçanërisht në qasjen e BE-së ndaj Ballkanit, shpresoj që këto thirrje të merren parasysh”. Ka shkruar ajo në platformën ‘X’.

Riho Terras, raportues i këtij institucioni për Kosovën, ka porositur se vendi i Kosovës është në BE.

Ndryshe, në këtë dokument mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE dhe ftohen vendet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë pa vonesa të tjera.

Parlamenti Evropian mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe pas aprovimit në Komitetin për Politikë të Jashtme, ky dokument gjatë muajve të verës do të votohet në seancë plenare kur do ta marrë edhe versionin e Rezolutës së Parlamentit Evropian, raporton rtk.

Share This