
PDK: Po shkelen afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, do ta mbrojë rendin kushtetues me çdo mjet
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke shprehur shqetësimin se, sipas saj, janë tejkaluar afatet e përcaktuara me Kushtetutë dhe janë shkelur rregullat procedurale për funksionimin e seancës konstituive.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, PDK-ja ka paraqitur tri çështje që, sipas saj, e sqarojnë situatën aktuale rreth konstituimit të legjislativit.
Duke iu referuar nenit 66 të Kushtetutës, kjo parti thekson se Kuvendi ka mandat katërvjeçar dhe se procedura e konstituimit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve.
PDK-ja i është referuar edhe Aktgjykimit KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se ky vendim e ka sqaruar se afati 30-ditor nuk nënkupton vetëm nisjen e procedurave, por përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit brenda këtij afati.
“30 ditët nuk janë vetëm afat për ta nisur procesin. Brenda këtij afati Kuvendi duhet të konstituohet”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia opozitare ka ngritur shqetësime edhe për kohëzgjatjen e ndërprerjeve të seancës konstituive. Sipas PDK-së, Rregullorja e Kuvendit përcakton se, deri në përfundimin e kësaj seance me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërprerjet nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë.
PDK-ja vlerëson se, pas tejkalimit të afatit 30-ditor dhe mosrespektimit, sipas saj, të rregullit për ndërprerjet 48-orëshe, situata përbën shkelje të rendit kushtetues.
“Afati 30-ditor ka kaluar pa u konstituuar Kuvendi. Tash po shpërfillet edhe rregulli 48-orësh”, ka deklaruar PDK-ja.
Në përfundim të reagimit, kjo parti ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime për mbrojtjen e rendit kushtetues, duke theksuar se Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen nga të gjitha institucionet.
“PDK do ta mbrojë rendin kushtetues me çdo mjet!”, thuhet në reagim.

