PDK-ja: Vendimi i GjND-së për pavarësinë e Kosovës, një sukses historik
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka përkujtuar sot vendimin historik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) në Hagë, i cili më 22 korrik 2010 konstatoi se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare.
PDK-ja thekson se ky vendim vulosi përfundimisht të drejtën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
“Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare. Ky vendim e vulosi përfundimisht të drejtën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Shpallja e pavarësisë si suksesi më i madh historik i popullit dhe shtetit tonë, pasqyron vullnetin dhe përpjekjen për shtetformim e shtetndërtim të një lidershipi vizionar, në koordinim me aleatët ndërkombëtarë, me angazhim e përkushtim për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt për secilin qytetar”, thuhet në njoftimin e PDK-së.