PDK-ja do t’i drejtohet Prokurorisë Speciale për emërimet e reja në krye të Komisionit Hetimor për tekstet shkollore
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se në panikun e gjetjeve të deritanishme në Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e “aferës së keqpërdorimit të miliona eurove në emër të subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore”, deputetët e shumicës, anëtarë të këtij komisioni kanë vendosur që t’a minojnë dhe bllokojnë hetimin përfundimtar.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se janë munduar të bllokojnë hetimin, duke u mbledhur sot në mënyrë të paligjshme, e duke e zëvendësuar kryetarin dhe zëvendëskryetarin e këtij komisioni nga radhët e opozitës, e të cilët, i ka zgjedhur Kuvendi.
“Si grup parlamentar iniciues të këtij Komisioni Hetimor, vendimin e sotëm të deputetëve të shumicës parlamentare e konsiderojmë jo vetëm të paligjshëm, por atak të drejtpërdrejtë mbi mandatin e deputetit si përfaqësues i popullit, vendim i cili, në të njëjtën kohë është edhe një provë shtesë se pse pushteti i frikësohet hetimit të kësaj afere dhe pse ka vendosur që në mes të procesit t’a bllokojnë këtë komision”.
“Në bazë të nenit 10 të ligjit në fuqi për Hetimin Parlamentar, kryetari dhe zëvendës-kryetari i Komisionit Hetimor i takon opozitës, prandaj edhe Kuvendi në seancë plenare ka vendosur për përbërjen e tij me rastin e themelimit të Komisionit. Për këtë vendim të paligjshëm e të turpshëm, do të kërkojmë sqarime edhe nga kryetari i Kuvendit, para se t’i drejtohemi Prokurorisë Speciale për të hetuar këtë aferë korruptive, që ka për kryeprotagoniste ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci”, ka thënë Tahiri.