PDK e AAK reagojnë për audio-incizimet, përgjigjet Kusari-Lila
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë reaguar pas publikimit të bisedës telefonike ndërmjet shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari –Lilës me terroristin Milan Radojiçiq. Për këtë çështje ka folur Mimoza Kusari-Lila.
Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me lëvizjen Vetëvendosje në Kuvend derisa sipas tyre kryetare e këtij grupi është një person që koordinimin për vendimmarrjen në Kuvend e bënë me kryeterroristin Milan Radoiçiq.
Shefi i Deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri në një konferencë për media bëri të ditur se do të kërkojnë që seanca e paraparë për sot të shndërrohet në debat ku do të hidhej dritë mbi këtë çështje.
“Ne do të kërkojmë që të gjitha pikat të zhvendosen. Sot duhet tu jepet mundësi të gjithë deputetëve të diskutojnë për këtë çështje. Duhet të hidhet dritë e të nxirren fakte të reja. Përpos këtyre dy çështjeve përpos faktit që kryeterroristi Radoiciq na ka përcaktuar pagën minimale dhe që paska pasur edhe kandidat të tij për Gjykatë Kushtetuese nga radhët e shqiptarëve, cilat janë kërkesat që i janë plotësuar Milan Radoiçiqit”, tha ai.
Tahiri e quajti të kontaminuar e të kriminalizuar këtë legjislaturë.
“Vendimmarrjen na ka përcaktuar kryeterroristi Milan Radoiciq e krejt këtë situatë e bënë më të rëndë fakti që kryeterroristi Milan Radoiqiq ëhstë vrasësi direkt i policit tonë Afrim Bunjaku apo mund të jetë njëri nga ushtarët e tij. Si mund të vazhdojë një normalitet e si mund të vazhdojë kjo legjislaturë punën e saj kur kemi aq thellë të involvuar terroristë të tillë, një njeri që është në listën e zezë të SHBA për shkak të aktiviteteve kriminale”, tha Tahiri.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është spiuni i Serbisë, duke komentuar publikimin e një përgjimi të ri në të cilën është përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Haradianj ka theksuar se është hera e parë në historinë e Kosovës, që është bashkuar vota e shqiptarëve me serbë në Listën Serbe kundër UÇK-së.
““Kurrë, hera e parë në historinë e Kosovës, që është bashkuar vota e shqiptarëve me serbë në Listën Serbe kundër UÇK-së, është Albin Kurti. Dhe po ashtu është vërtetuar se për këtë votë, janë marr vesh pas shpinës së Kosovës. Nëse edhe kësaj nuk ia dimë emrin si quhet, kush para këtyre njerëzve në Kosovë se ka bërë këtë, kjo tregon se Kosovën e udhëheq njeriu i Serbisë, spiuni i Serbisë”, u shpreh Haradinaj. /rtk/