`Pastrimi` ndërpret grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë

`Pastrimi` ndërpret grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi SH.A.” ka njoftuar se është detyruar të ndërpresë ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës.

Përmes një njoftimi zyrtar, KRM bën të ditur se arsyeja e kësaj ndërprerjeje është mospagesa e borxhit nga Komuna e Prishtinës, borxh që kap vlerën e 2.7 milionë eurove.

“Për më shumë se pesë muaj, Komuna nuk ka përmbushur obligimet financiare ndaj kompanisë, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme dhe paralajmërimeve të përsëritura. Kjo situatë e ka bërë të pamundur mbulimin e kostove operative dhe vazhdimin normal të ofrimit të shërbimeve,” thuhet në njoftimin e KRM “Pastrimi”.

Kompania u ka bërë thirrje autoriteteve komunale të Prishtinës që të veprojnë urgjentisht në shlyerjen e menjëhershme të detyrimeve financiare dhe të rivendosin bashkëpunimin institucional, në funksion të garantimit të shërbimeve bazike për qytetarët e kryeqytetit.

Share This