
Pas telefonatës Trump-Putin, Rusia dhe Ukraina rinisin sulme ajrore
Rusia dhe Ukraina kanë rinisur sulmet ajrore ndaj njëra-tjetrës një ditë pas telefonatës së presidentit amerikan Donald Trump me atë rus, Vladimir Putin ku u diskutua për një armëpushim të mundshëm 30 ditor.
Nga sulmet e kryera brenda natës si Ukraina ashtu edhe Rusia kanë dëmtuar infrastrukturën e njëra-tjetrës disa orë pasi Vladimir Putin refuzoi propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për një armëpushim të plotë 30-ditor.
Në bisedën telefonike Putin i tha Trumpit se një armëpushim i plotë do të funksiononte vetëm nëse aleatët e Ukrainës do të ndalonin dhënien e ndihmës ushtarake dhe ranë dakord vetëm për të ndalur sulmet në infrastrukturën energjetike.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se sulmet e mbrëmshme dëmtuan “infrastrukturën civile”, duke përfshirë një spital në Sumy.
Ministria ruse e mbrojtjes bëri të ditur se ka kapur 57 dronë ukrainas, ndërsa zyrtarët në rajonin jugor rus të Krasnodarit thanë se një sulm me dron ukrainas shkaktoi një zjarr të vogël në një depo nafte.
Ndërkohë, dy vende kanë rënë dakord të shkëmbejnë 175 të burgosur mes tyre, raporton rtsh.