Partizani-Tirana, kryeqyteti nën ethet e derbit
Tirana e Partizani luajnë derbin kryeqytetas ditën e enjte në orën 19:00, e për këtë do të jenë në qendër të vëmendjes.
Jo vetëm për rivalitetin historik, por edhe sepse luajnë për të arritur vendin e parë. Bardheblutë drejtuar nga Julian Ahmataj kanë një ndeshje më pak e shohin vendin e parë 3 pikë larg, ndryshe nga të kuqtë me dy ndeshje për të luajtur me 11 pikë të grumbulluara.
Një ndeshje që pritet të dhurojë emocione si në shkallët e stadiumit, ashtu edhe në fushë. Në të tilla kushte FSHF-ja ka vendosur edhe për gjyqtarin që do të vendosë drejtësi në këtë përballje. Eldorian Hamiti është kryesori i sfidës, i cili do të ndihmohet nga asistentët e tij Arbër Zalla dhe Ani Koçiaj, teksa VAR-i i është besuar Kreshnik Bajramajt.
Kryesoir 40-vjeçar ka arbitruar pesë sfida të derbit kryeqytetas, me dy që kanë përfunduar në favor të Partizanit, një për Tiranën e dy takime të tjera kanë përfunduar në barazim.
Hera e fundit që Hamiti arbitroi një derbi ishte më 21 dhjetor të vitit 2022, sfidë që përfundoi 0-1 për të kuqtë me golin e Xhuliano Skukës.