Partizani “skuq” sërish derbin
Partizani ka korrur një fitore me përmbysje në derbin ndaj Tiranës, duke i dhënë trajnerit të saj, Orges Shehi, fitoren në derbin e parë të kryeqytetit ndaj ish-skuadrës së saj.
Në fakt, ka qenë një ndeshje e luftuar fort ajo që u zhvillua të premten në mbrëmje në një atmosferë të ndezur në Stadiumin “Arena Kombëtare”, teksa të dy rivalet e kryeqytetit e nisën vrullshëm dhe, pas 6 minutash e 12 sekondash lojë, Latifi finalizon një aksion të shpejtë të bardhebluve, duke përfituar nga goditja e Abazajt në krahun e djathtë, që vetëm grushtohet nga portieri i të kuqve, Hoxha dhe sulmuesi bardheblu nuk e ka të vështirë ta përcjellë topin në rrjetë.
Loja në vijim do të shohë Partizanin që të ngulmojë dhe në minutën e 29-të, portieri bardheblu, Abdullahu, gabon në largimin e një topi në zonë dhe pastaj ndërhyn në mënyrë të parregullt ndaj Skukës, me gjyqtarin kryesor, Feratajn, që nuk ka dyshime dhe bën me dorë nga pika e bardhë, aty ku është vetë Skuka që nuk gabon dhe shënon, duke barazuar shifrat. Loja do të hapet dhe 3 minuta para fundit të pjesës së parë, vjen një aksion i shkëlqyer i të kuqve në krahun e majtë, topi shkon te Cara në zonë dhe ky i fundit nuk gabon, duke përmbysur rezultatin.
Me këtë epërsi minimale të Partizanit do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të jenë edhe më të luftuara, me Tiranën që e kërkon me ngulm golin e barazimit, por Lushkja ndalet nga shtylla e majtë pingule në minutën e 68-të, por me Partizanin që e administron epërsinë dhe e mbron deri në fund fitoren me shifrat 2-1, duke mbetur në vendin e dytë të renditjes, me 40 pikë, ndërsa Tirana mbetet në kuotën e 34 pikëve, por rrezikon tanimë vendin në 4-shen finale të këtij sezoni.