Partizani e nis sezonin me “këmbë të mbarë”, Bejzade debuton me humbje te Laçi
Partizani e nis me këmbë të mbarë sezonin, ndërsa fiton 1-0 ndaj Laçit në “Arena e Demave”, takim ky i vlefshëm për raundin e dytë të Kategorisë Superiore.
Pjesa e parë u mbyll me barazim pa gola, ndërsa u desh minuta e 90+3’, kur Maguette zhbllokoi sfidën dhe i dhuroi avantazhin dhe triumfin vendasve.
Partizani e nis kështu me fitore sezonin, me kryeqytetasit që ndeshjen e javës së parë, ndaj Teutës nuk e kanë zhvilluar, pasi ishin të angazhuar në Conference League.
Ndërsa Laçi nga ana tjetër nuk po arrin të “shijojë” një triumf, pasi takimin e javës së parë, ku përballë kishin Erzenin, e mbyllën me barazimin 3-3, gjë që solli edhe shkarkimin e trajnerit Stavri Nica.
Megjithatë edhe debutimi i Skerdi Bejzades nuk rezultoi siç pritej te kurbinasit, që në javën e dytë dalin pa pikë.
Pas javës së dytë, Partizani renditet në vend të pestë me tre pikë, por me një ndeshje më pak se katër skuadrat që qëndrojnë më lartë në renditje, teksa Laçi pozicionohet në vend të tetë me një pikë.