Parku Kombëtar i Vjosës, Kumbaro: Pushuesit zgjedhin ekoturizmin

Parku Kombëtar i Vjosës, Kumbaro: Pushuesit zgjedhin ekoturizmin

Gjatë këtij viti vizitorë vendas e të huaj po eksplorojnë Parkun Kombëtar të Vjosës për eksperienca të jashtëzakonshme nga soditjet në natyrë deri tek rafting dhe sportet e aventurës.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga nga lumi Vjosa, ku adhurues të sporteve ujore ushtrojnë sportin ujor të rafting.

“Parku Kombëtar po vizitohet e shijohet në gjithë shumëllojshmërinë e aktiviteteve që ofron, nga rafting tek agroturizmet për pushuesit që përtej plazhit zgjedhin ekoturizmin në zonat e mbrojtura”, theksoi Kumbaro.

Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa karakterizohet nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.

Çfarë e bën këtë lumë vërtetë të veçantë ndërkombëtarisht është fakti, se pothuajse të gjitha degët e tij rrjedhin të pandërprera dhe të paprekura, duke krijuar një rrjet lumor të gjallë si diçka që nuk haset më aktualisht në Europë.

Në 13 mars 2023 lumi i Vjosës, i fundit i egër në Europë, u shpall nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “Park Natyror”. /atsh/

 

Share This