‘PARIS 2024’, Unazat olimpike vendosen në Kullën Eifel
Vazhdon puna për të përfunduar të gjitha detajet e përcaktuara që në fillim, sipas projektit të olimpiadës “Paris 2024”.
Kështu mëngjesin e së premtes, pesë unazat olimpike ishin të instaluara në Kullën Eifel. Rrathët në ngjyrë të kuqe, të gjelbër, blu, të zi dhe të verdhë, që përfaqësojnë pesë kontinentet, janë vendosur në anën përballë Senës.
Të pajisura me 100 mijë drita LED me energji të ulët, ato do të ndriçojnë vazhdimisht. Gjatë ditës me ngjyra olimpike, ndërsa natën në të bardhë. Unazat do të qëndrojnë në Kullën Eifel deri në fund të Lojërave Paralimpike.
Rrathët shumëngjyrësh janë 15 metra të lartë, 25 metra të gjerë, me diametër 9 metra secili dhe së bashku peshojnë 30 tonë.
Kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo dhe presidenti i Komitetit Organizativ të Lojërave Olimpike, Tony Estanget shprehin kënaqësinë për realizimin me sukses të kësaj mrekullie.
“Vendosja e unazave në Kullën Eifel, në monumentin që mishëron Parisin, kryeqytetin e Francës është një moment emocionues. Ky është sinjali se Lojërat janë gati të fillojnë. Është një simbol i fuqishëm dhe kjo është një vepër e vërtetë teknike. Rrathët simbolizojnë faktin se olimpiada është në Paris. Ne kemi një takim me të gjithë botën dhe do ta mirëpresim. Kulla Eifel ishte vendi më i bukur dhe më i dukshëm për të shfaqur simbolin përfundimtar të Lojërave, unazat olimpike”.