Paratë, një histori midis dy portierëve
Një portier i reziston tundimit të parave që po rrjedhin nga Arabia Saudite, ndërsa një tjetër jo.
Kështu, Vojçeh Shezni nuk e ka ndërmend të largohet nga Juventusi në këtë merkato verë dhe polaku është i vendosur ta respektojë deri në fund kontratën e tij me ekipin italian.
“Para kam boll, ndaj mbetem këtu për të kërkuar sfida të reja në nivelet më të larta të futbollit”, ka thënë ai në një intervistë për mediat italiane.
Madje, Shezni ka pranuar se ka refuzuar ofertat nga disa skuadra të mëdha të Evropës dhe Arabisë Saudite për t’i qëndruar besnik Juventusit. 33-vjeçari, i cili është pjesë e Juventusit prej vitit 2017 dhe me këtë ekip ka fituar 3 tituj të kampionit të Italisë dhe ka një kontratë deri ne vitin 2025 me torinezët, kërkohej edhe nga Bajerni i Mynihut.
Ndërkaq, në krahun tjetër, Jasin Bunu, apo Bono siç njihet gjerësisht, do të ndjekë rrugën e shumë lojtarëve të njohur të futbollit evropian që përfunduan në Arabinë Saudite.
Portieri maroken do ta vazhdojë karrierën në “Pro Ligën Saudite” me ekipin e El-Hilalit. Një nga më të spikaturit e Botërorit 2022, ai do të nënshkruajë një kontratë 3-vjeçare pasi raportohet se Sevilla arriti marrëveshje me EI-Hilalin për një shumë prej 21 milionë eurosh. Bono pritet të udhëtojë drejt Lindjes së Mesme për të kryer vizitat mjekësore dhe më pas për ta nënshkruar kontratën.
32-vjeçari largohet kështu nga ekipi andaluzian pas tri vjetesh qëndrimi aty, ndërsa të mërkurën në mbrëmjen nuk arriti ta fitonte Superkupën e Evropës, pasi Sevilla humbi përballë Manchester Cityt pas goditjes së 11-metërshave.