
Parandalohet sulmi me bombë në koncertin e Lady Gaga në Brazil
Policia braziliane ka deklaruar se ka parandaluar një sulm me bombë të planifikuar në koncertin e këngëtares së famshme, Lady Gaga në plazhin Copacabana të Rio de Zhaneiros, që tërhoqi rreth 2.1 milionë njerëz.
Komploti u orkestrua nga një grup që promovonte gjuhën e urrejtjes dhe radikalizimin e adoleshentëve, duke përfshirë vetëdëmtimin dhe përmbajtjen e dhunshme si një formë e përkatësisë sociale, sipas Policisë Civile të Rio de Zhaneiros. “Të dyshuarit po rekrutonin pjesëmarrës, përfshirë të mitur, për të kryer sulme të koordinuara duke përdorur eksploziv të improvizuar dhe kokteje molotov,” tha Policia.
Ministria e Drejtësisë tha se rekrutuesit e identifikuan veten si fansa të Gaga-s, të njohur si “Little Monsters”.
Autoritetet kryen mbi një duzinë urdhër-kontrollesh dhe konfiskimesh, ku si pasojë u vunë në pranga udhëheqësi i grupit dhe një adoleshent.
Shfaqja më e madhe e Gagës ndonjëherë
Rreth 500 mijë turistë udhëtuan për të parë koncertin, i cili u pagua nga qyteti në një përpjekje për të nxitur ekonominë në vështirësi.
Shfaqja dy-orëshe e së shtunës në mbrëmje, më e madhja e Gagës ndonjëherë, shënoi herën e parë që ajo performoi në Brazil që nga viti 2012, pasi anuloi një paraqitje në festivalin Rock in Rio në 2017 për çështje shëndetësore.
Gaga, e cila publikoi albumin e saj të shtatë, “Mayhem”, në mars, u hap me një edicion dramatik, operistik të këngës së saj të vitit 2011 “Bloody Mary”.
Ylli amerikan i popit tërhoqi një turmë të ngjashme me atë të Madonna-s në maj të vitit të kaluar, e cila performoi në të njëjtin plazh.
Vlerësohet se shfaqja e Gaga do të ketë injektuar rreth 79.9 milionë £ në ekonomi, gati 30% më shumë se shfaqja e Madonna-s.