
Paqartësitë për formimin e Qeverisë së re, kritikohet procesi i zgjatur i numërimit të votave
Analistët kanë kritikuar procesin e numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Zgjatja e procesit sipas tyre po krijon paqartësi për formimin e qeverisë së re.
“Është dashur së paku t’i kemi rezultatet e partive politike dhe pastaj të kemi votat e diasporës, për të pasur më vonë pasqyrim total. Ritmi aktual s’është shpresëdhënës që mund të ketë rezultate, së paku jo para fillimit të javës së ardhshme”, theksoi politologu Dorajet Imeri, në “Analizën zgjedhore” në RTK.
Gazetari Muhamet Hajrullahu gjithashtu ka kritikuar faktin që nuk mund të ketë, sipas KQZ-së, rezultate preliminare deri javën e ardhshme, për shkak se procesi i numërimit të votave do të kalojë nëpër kutitë e deputetëve, për të vazhduar pastaj me votat e diasporës, ato me kusht dhe votuesve me aftësi të kufizuara.
Hajrullahu ka theksuar dallimet partiake pas procesit zgjedhor, ku disa deputetë nuk do të mund të ulen më në Kuvendin e Kosovës, ndërkaq disa kandidatë të rinj do të marrin detyrën në legjislaturën e re.
“Opsionet janë të qarta. Një: që mund ta bëjë LVV vet Qeverinë, sado që mund të jetë qeveri e pakicës. Dy: që mund ta bëjë LVV me një koalicion me një nga partitë që ka fituar më pak apo ta bëjë me PDK-në që të jetë stabil. Varianti tjetër që mund të jetë një koalicion me dy – tre subjekte në mënyrë që tejkalohen sfidat apo varianti i fundit që nëse askush s’e bën qeverinë, sipas Kushtetutës të provohet edhe njëherë dhe nëse dështon, automatikisht të shkohet në zgjedhje”, tha profesoresha Besa Luzha.