
Papa Leoni XIV takohet me Zelenskyn pas meshës inauguruese
Papa Leoni XIV, pas meshës së tij inaugurale, është takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, përderisa Rusia gjatë natës së kaluar nisi sulmin më të madh me fluturake pa pilot drejt caqeve ukrainase.
Papa Leoni i XIV ka mbajtur meshën e tij inaugurale, të parën si kreu i kishës katolike, gjatë së cilës, mes tjerash, foli për margjinalizimin e të varfërve, autokracinë në rritje si dhe për luftën në Ukrainë, pas meshës, Papa Leoni i XIV u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky takim gjatë së cilit kreu i kishës katolike përsëri ofroi Vatikanin si vend për takim eventual mes presidentit ukrainas dhe atij rus Vladimir Putin.
Pas takimit, Zelesnky falënderoi Papën e ri për përkrahjen që ai e ka shprehur për Ukrainën si dhe gatishmërinë e Vatikanit që të bëhej platformë për negociata direkte mes dy palëve.
Përkrahja e hapur e Papës Leoni i XIV për Ukrainën qëndron në kundërshtim me politikat e para-ardhësit të tij, Papa Françeskut i cili, shpesh herë u kritikua për qëndrimet e tij të cilat shiheshin si pro-ruse.
Ndërkohë, nga Ukraina është njoftuar se Rusia, gjatë natës së kaluar, nisi sulmin më të madh me fluturake pa pilot që nga fillimi i luftës. Sipas zyrtarëve ukrainas, forcat ruse lansuan më shumë se 273 fluturake pa pilot drejtë caqeve në pjesët e ndryshme të Ukrainës. Edhe pse mbrojtja ajrore arriti që të rrëzon, apo ndalon në mënyrë elektronike, shumicën e tyre, disa prej fluturakeve arritën deri te caqet e tyre duke shkaktuar dëme dhe viktima civile.
Sulmi erdhi një ditë para bisedës së paralajmëruar telefonike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin. Shumë analistë kanë thënë se besojnë që Kremlini, në këtë mënyrë, ka dëshiruar të tregon se ka superioritet në fushëbetejë përderisa Shtëpia e Bardhë ende nuk ka komentuar rreth këtyre sulmeve. /rtk/