
Pacolli për njohjen nga Kenia: Kosova s’bëri gjë, Shqipëria më mbështeti – Serbia loboi kundër
Republika e Kenias është bërë shteti i 118-të që ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Ky vendim, i firmosur nga Presidenti William Ruto, është dorëzuar tashmë në Presidencën e Kosovës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e konfirmoi këtë njohje.
Ish-kryediplomati kosovar, Behxhet Pacolli, ka folur për këtë njohje në një intervistë për emisionin FIVE të Dukagjinit.
Pacolli ka theksuar se kjo njohje ka qenë rezultat i një angazhimi të përhershëm, duke përmendur faktin se ai ka vizituar Keninë rregullisht që nga viti 2009 dhe ka mbajtur lidhje të mira me administratat e kaluara.
“Është një notë verbale e vërtetë, e nënshkruar nga Presidenti i shtetit, si rezultat i vendimit të Këshillit të Ministrave dhe rezolutës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Njohja është produkt i një pune të gjatë që ka nisur me shpalljen e Pavarësisë dhe ka vazhduar prej atëherë. Unë, që nga viti 2009, kam vizituar rregullisht Kenian dhe kam mbajtur lidhje të mira edhe me dy administratat e kaluara. Asnjëherë nuk kam hequr dorë nga angazhimi im për të punuar në këtë drejtim”, ka thënë Pacolli në FIVE në RTV Dukagjini.
Ai ka shtuar gjithashtu se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk e ka mbështetur siç duhet këtë angazhim.
“Ata (Ministria e Punëve të Jashtme) e dinë numrin tim, kam një numër telefoni dhe ata e dinë që kam qenë ministër atje. Duhej të më kontaktonin. Nuk kam pasur akses në asnjë moment në këtë ministri. Aksesi që kam pasur ka qenë vetëm në shërbimin e pasaportave, ku kam shkuar për të rinovuar pasaportat, si çdo qytetar tjetër. Ata e kanë konsideruar që nuk iu nevojitem, por unë kisha dëshirë që ata të ishin krah meje dhe të më ndihmonin në këtë mision…”, ka shtuar Pacolli.